Friday , July 23 2021

Prokurori i Elbasanit Kreshnik Ajazi sot në vetting. ‘Problem’ mbetet…

Prokurori Kreshnik Ajazi, i zgjedhur së fundmi nga KLP si drejtues i Prokurorisë së Elbasanit do të përballet të premten më 25 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet trupa e përbërë nga Xhensila Pine, Lulzim Hamitaj dhe Suela Zhegu.

Kreshnik Ajazi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas një periudhe stazhi në prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Vlorës.  Prej vitit 2012, Ajazi e ushtron funksionin në Prokurorinë e Elbasanit.

Ajazi u promovua si drejtues i Prokurorisë së Elbasanit, pas një procesi paralel vetingu të kryer nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mars 2021. Ai ishte kandidati i vetëm për postin që mban aktualisht. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2009, prokurori Kreshnik Ajazi deklaronte pasuri me vlerë 517 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria kap vlerën e 3.4 milionë lekëve. Pasuria përbëhet nga 2.4 milionë likujditete bankare dhe 1 milion lekë kursime të akumuluara në cash.

Të ardhurat për periudhën deklaruese janë 8.8 milionë lekë me burim në 97% të tyre pagën e Z. Ajazi si prokuror. Rreth 1.7% e të ardhurave kanë si burim dhuratën në cash nga familjarët.