Friday , July 23 2021

Hidhet në treg kartëmonedha 10,000 lekëshe. Si duket dhe si ta dallojmë nëse është false

Ne treg doli kartëmonedha 10.000 lekëshe, e cila sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ka elementë shtesë të sigurisë, si holograma dhe filli i sigurisë që ndryshon ngjyrë në kënde të ndryshme ndriçimi, por mund të bjerë pre e prodhimit fals. Si ta dallojmë nëse kartëmonedha e re është false apo e vërtetë?

Përgjegjësja e departamentit të misionit në Bankën e Shqipërisë, Alba Gjoka, ka treguar në emisionin “Ditë e Re” hapat që duhet të ndjekim, për të kuptuar nëse kartëmonedha 10.000 lekëshe është false.

“Kartëmonedha 10 mijë lekëshe ka elementë të sigurisë në numër më të madh se kartëmonedhat e tjera. Banka e Shqipërisë e instrukton publikun që të kuptojë nëse një kartëmonedhë është e vërtetë, nëpërmjet 3 hapave: Prek-Shiko-Lëviz.

1. Nëse e prek, kartëmonedha 10 mijë lekëshe është kartëmonedha e vetme, që në të dyja krahët ka printimin e ngritur. Nëse e prek në të dyja krahët ajo është e ashpër. Këtë specifikë e ka vetëm prerja e 10 mijë lekëshit.

2. Shiko – do të thotë që kartëmonedhën duhet ta drejtosh drejt një burimi drite dhe të shikosh aty figurën ujore. Është një hapësirë që duket sikur është bosh, por në të vërtetë nuk është bosh. Nëse e vendos në dritë është figura ujore. Për veç portretit kryesor, Asdrenit, është edhe vlera nominale 10 mijë lekë dhe figura, pra janë tri figura brenda kësaj hapësire të vogël që quhet portreti ujor.

3. Lëvize kartëmonedhën drejt një burimi drite. Nëse e lëviz kundrejt dritës do shikosh fillin e sigurisë, që ndërron ngjyrë. Do shikojmë shiritin hologram, që duken pullat e mëdha, me ngjyrë të argjend, por nëse lëvizin drejt dritës ndryshon edhe ngjyra, por edhe pamja e pullës. Kemi edhe librin me penë, i cili kur lëviz kundrejt dritës, ndryshon ngjyrë”.