Friday , July 23 2021

Çmimi i naftës shkoi në 183 lekë/ Rritja më e fortë brenda dy javëve. Ekspertët shpjegojnë arsyen

Ndërsa ekonomia nuk është rimëkëmbur akoma nga pandemia, çmimi i naftës ka arritur në nivelet e saj normale. Nafta, benzina dhe gazi kanë ardhur me rritje brenda dy javësh në nivelin e 178 – 183 lekëve për litër.  Nga njëra anë rritja e çmimit influencohet nga rritja e naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa në krahun tjetër ndikojnë taksat e shtetit që arrijnë deri në nivelin e 110 lekëve për 1 litër naftë.

Ekonomisti Mateo Spaho shpjegon se Shqipëria është ndër që vendet që e takson shumë shtrenjtë naftën. Kjo është karakteristikë sipas tij e vendeve me nivel të lartë korrupsioni dhe nivel të lartë informaliteti:

“Nga taksat që vihen mbi naftën si produkt final, shteti merr të ardhurat më të mëdha se nuk ka fuqi të kontrollojë fitimin e bizneseve dhe të ardhurave personale. Kjo taksë që vihet mbi një produkt konsumi kaq të rëndësishëm godet shtresat e mesme dhe të varfra.  Është tipike për vendet në zhvillim dhe me nivel të lartë korrupsioni, sepse qeveria e ka më të lehtë të mbledhë taksa me katër doganierë se sa të ketë një administratë tatimore të specializuar, që këto taksa ti mbledhë diku tjetër.

Shteti shqiptar ka një sistem taksimi të çuditshëm sepse vendos taksë mbi taksën. TVSH llogaritet mbi çmimin e naftës plus taksave të tjera dhe shteti i shton fitimet e tij.”

Rritja e çmimit të naftës dhe të ushqimeve, sidomos zarzavateve erdhën me rritje gjatë muajit qershor, sipas statistikave të inflacionit. Këto janë edhe produktet që konsumohen më shumë nga qytetarët shqiptarë dhe i rëndon shumë xhepat e tyre, duke marrë parasysh se niveli i pagës mesatare nuk është rritur me të njëjtin nivel.

Top Channel