Friday , July 23 2021

Aeroporti i Rinasit ka një lajmërim të rëndësishëm për të gjithë udhëtarët: Paraqituni në sportele…

Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” me anë të një deklarate publike ka njoftuar që të gjithë qytetarët që do të udhëtojnë jashtë vendit nëpërmjet kësaj pike daljeje që të paraqiten në Rinas 3 orë përpara nisjes së fluturimit të prenotuar.

Njoftimi bëhet për shkak të fluksit të shtuar të stinës verore me turistë të huaj dhe vendas që kthehen nga vendet ku jetojnë dhe faktit që për të marrë biletën e avionit duhet paraqitur paraprakisht një test COVID negativ, apo test antigen, çka shton radhën e pritjes.

Njoftimi i plotë i TIA:

Në vëmendje të të gjithë pasagjerëve që udhëtojnë nga Tirana International Airport

Duke marrë shkas nga rritja e fluksit të pasagjerëve që udhëtojnë nga TIA në këto ditë të sezonit veror, si dhe ardhjen e shumë bashkatdhetarëve nga jashtë, kontrollin e dokumentacionit për vendet që kanë vënë kufizime për pasaportat shqiptare – sidomos Italia – si dhe paraqitjen e testit PCR apo antigen në sportelet e TIA-s të pranimit të biletave – sipas kritereve të vendeve ku udhëtoni – sugjerojmë që paraqitja në aeroport të jetë 3 orë përpara udhëtimit.

Kjo kohë do të jetë e mjaftueshme që të organizoheni përpara fluturimit tuaj, qoftë për parkimin e automjetit tuaj, qoftë për kontrollin e dokumentacionit që kërkohet për vendet respektive ku udhëtoni.

Ju rikujtojmë se jemi në dispozion të çdo pasagjeri për t’i shërbyer sa më mirë, e në të njëjtën kohë, mbetemi besnikë të durimit dhe bashkëpunimit, sepse kohërat janë të pazakonta dhe na duhen të gjithëve fuqi të pazakonta.

Ju falenderojmë për mirëkuptimin,

Tirana International Airport