Wednesday , September 29 2021

Përfitoi 16 mijë euro/ Si i mashtronte qytetarët 31-vjeçarja, kishte hapur shumë llogari në Instagram dhe…

Një 31-vjeçare nga Kavaja ka rënë në prangat e policisë. Raportohet se ajo mashtronte qytetarët ku u premtonte se do u nxirrte licencë për farmacist. Ajo kishte hapur disa adresa false në Instagram me emra të punonjësve të shtetit për t’u kamufluar.

Njoftimi:

Aŗestimi, në momentin e marrjes së shumës 10.000 euro, nga disa qytetarë që i kishte mashtruar. Sekuestrohen para dhe prova të tjera materiale që shërbejnë për dokumentin e veprimtarisë së kundërligjshme të 31-vjeçares.

U organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Premtimi i rremë”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetases S. K., 31 vjeçe, banuese në Kavajë. Në bazë të hetimeve të kryera, u bë e mundur që kjo shtetase të kapej në flagrancë nga Policia, në rrugën “Josif Budo”, në Kavajë, duke marrë shumën prej 10.000 euro, pasi kishte mashtruar disa shtetas, nëpërmjet komunikimeve në rrjetin social instagram, me adresa false të krijuara me emra të punonjësve të një institucionit shtetëror, me pretendimin për t’i ndihmuar në nxjerrjen e licencës për ushtrimin e profesionit të farmacistit.

Nga hetimet e kryera rezultoi se kjo shtetase, nëpërmjet mashtrimit dhe veprimeve të saj, ka arritur të përfitojë në total 16.000 euro.

Gjithashtu, nga këqyrja e telefonit të saj janë gjetur edhe shumë biseda të tjera me persona të ndryshëm, me të cilët komunikonte me qëllim mashtrimin për përfitim të paligjshëm të parave.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kompjuter, 2 aparate telefonike, 10.000 euro, 50.000 lekë të rinj dhe 61 fatura tatimore shitjeje.