Wednesday , September 29 2021

“Tokyo 2020”! Briken Calja fantastik në stilin e shtytjes, vetëm një kilogram larg medaljes dhe historisë

Briken Calja e mbylli me 151 kg garimin në stilin e shkëputjes në Lojërat Olimpike të Tokios. Vendi i shtatë për peshëngritësin nga Elbasani, i cili ka bërë shumë më mirë në stilin e shtytjes. 31-vjeçari çoi 184 kg në tentativën e parë, ndërsa dështoi në të dytën me 188 kg. Fantastike prova e tretë e Caljes, i cili ia doli të çojë 190 kg.

Sportisti kuqezi e mbylli dygarëshin me 341 kg të ngritura, duke u renditur në vend të katërt. Vetëm 1 kg ishte Calja larg medaljes se bronztë.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për arritjen e peshëngritësit shqiptar, Briken Çalja në lojërat olimpike në Tokio.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama shkruan se pavarësisht se Çalja nuk arriti të merrte një medalje olimpike, ai meriton një bravo të madhe. Më herët për sportistin shqiptar ka reaguar dhe Presidenti Ilir Meta i cili thotë se përfaqësimi i Çaljas ishte një arritje dinjitoze për Shqipërinë.