Friday , September 17 2021

Merret vendimi i fundit për shkollat/ Ministrja Kushi tregon kur nis shkolla dhe si do te zhvillohet mesimi

“Nëse do të vazhdojmë si sot padyshim nuk ka asnjë arsye që shkollat të mos fillojnë normalisht, kur jemi përpara faktit kur arsimtarët janë të vaksinuar, shumica e fëmijëve kanë edhe prindërit dhe gjyshërit të vaksinuar. Por do të shikojmë situatën dhe në varësi të saj do të jetë edhe vendimi për shkollat”.

Kështu deklaronte disa javë më parë, në 26 Korrik Silva Bino, shefe e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, por situata nga atëherë ka ndryshuar shumë dhe sot gjendemi përballë faktit që shifrat e të infektuarve që zbulohen cdo ditë nuk numërohen më me gishtat e dorës, por janë qindra.

Megjithatë dy javë nga fillimi i nisjes së vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Evis Kushi shprehet se nxënësit në 1 shtator do të ulen në bankat e shkollës, ndryshe nga viti që u mbyll, që u zhvillua online dhe i alternuar. “Pak para nisjes së vitit të ri shkollor, vijon pa ndërprerje puna nëpër shkolla me sistemimet dhe riparimet e fundit në mënyrë që çdo gjë të jetë gati më 1 shtator për nxënësit e mësuesit tanë.

Faleminderit të gjithë punonjësve që angazhohen për të na sjellë ambiente shkollore më të sigurta, më të rregullta dhe më të pastra” shkruan Ministrja Kushi.

Më 1 shtator do të nisë një periudhë 2 javore me përsëritje të temave të vitit të kaluar për nxënësit që duan të bëjnë përsëritje. Dhe të hënën më 13 shtator pritet të nisë mësimi i rregullt. Gjithsesi ende nuk dihet nëse do të ketë mësim me kohë të plotë apo vetëm 4 deri 6 orë 30 minutëshe pa ndërprerje dhe pa pushim në mes të orëve.

E ndërsa përgatitjet po bëhen që gjithçka të rikthehet në normalitet, në javët në vijim pritet për t’u parë nëse do të ketë ndryshime nga Komiteti i Ekspertëve.