Wednesday , September 29 2021

Teatri “Skampa” sjell komedinë e radhës, së shpejti vjen “Një zonjë nga Argjentina”, me regji nga Adonis Filipi

“Një zonjë nga Argjentina” titullohet premiera e re e teatrit “Skampa”. Komedia “Një zonjë nga Argjentina” është një adaptim i regjisorit të mirënjohur Adonis Filipi bazuar në veprën “Madam Barcelona” nga autori Tomas Brand. Trupa e teatrit “Skampa”, së cilës i janë bashkuar dhe të tjerë artistë nisi punën në ditët e muajit korrik për të sjellë në fillim të shtatorit komedinë “Një zonjë nga Argjentina”. Pas disa ditësh pushim, puna me veprën pritet që të rinisi këto ditë gushti. Veç pjesëtarëve të trupës së teatrit “Skampa” në Elbasan si Egla Ceno, Mario Elezi, Elona Mamo, komedia do të ketë për protagonist një nga aktorët më të mirë të Teatrit Kombëtar, Helidon Fino, po ashtu dhe aktorët e tjerë të rinj e të talentuar si Donald Shehu, Xhuliano Brisku, Algiona Aga, etj.

 Në materialin rreth shfaqjes, thuhet se kjo komedi në fizionominë e vet dramaturgjike që duket si përqasje e veprave të Kristo Floqit, ku marrëdhëniet lëvizin ndërmjet farsës dhe komedisë, vjen si komedi situatash, situatave absurde, ngjarjeve të pamundura plotë surpriza e veprim. Pabarazia ekonomike bëhet pengesë e realizimit të lidhjes së dy studentëve të huaj me dy vajza studentesh, në një nga qytetet Europiane.

Ato kanë nga mbrapa murin- pengesën e lartë, të dashurit e tyre duhet të kenë garanci financiare, në të kundërt lumturia e të dy palëve rrezikohet seriozisht nga “xhebraili” kujdestar i vajzave. Një teze milionere me vonesën e saj ka vënë në rrezik bekimin e lidhjes së të dashuruarve. Dhe në këto kushte një mik, një shok në raste të tilla është një “shpëtimtar” nga nevoja. Dhe ky kalvar drejt bekimit të lidhjes së tyre, të dashurisë kalon përmes ngërçeve, situatave absurde, të papriturave që lindin e shoqërohen nga tensioni, befasia, kënaqësia, humori .

Përzgjedhja e veprës

Regjisori Adonis Filipi do të rinisë së shpejti punën me provat për këtë komedie premierë në “Skampa”. Por rreth veprës, Filipi shprehet se përzgjedhja e saj është një sfidë artistike. “Nisur pikërisht nga aftësia, që ka vepra për të provokuar argëtim, gëzim dhe hare, eksperiencave të mëparshme skenike të suksesshme, të cilat janë pëlqyer e kanë lënë mbresa te spektatori, për më shumë cilësisë që mbart vepra për tu eksploruar e trajtuar me një këndvështrim të ri, për të komunikuar jo vetëm në skenën e mbyllur të teatrit “Skampa”, por dhe në mjedise të hapura atraktive përmes teatrit të gjallë, e bëjnë përzgjedhjen një sfidë të vërtetë artistike”, thotë regjisori.

Një premierë, ku regjisori Filipi shprehet se në këtë realizim synohet, që vepra të vijë si një komedi gazmore me nuanca të theksuara muzikale, me një gjuhë atraktive shprehëse relevante ekspresive, ku veç batutës komike të zërë vend gjuha e lëvizjes, xhestit, tingullit, ikonografia e “korit”, të cilat padyshim do të ndihmojnë përcjelljen e një estetike bashkëkohore. Skenograf i shfaqjes do të jetë Sokol Sejdini, ndërsa kostumet Sofi Kara dhe koreografia lëvizëse do të realizohet e drejtohet nga koreografi i mirënjohur, Artan Ibershimi.