Friday , September 17 2021

Shpejtësi deri në 159 km/h në rrugën Tiranë-Elbasan, pezullohen disa leje drejtimi

Policia Rrugore e Tiranës vijon monitorimin e qarkullimit me radarë e alkooltestues, në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan-Tiranë për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara dhe drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Sipas policisë, prej orës 19:00 dhe deri në orën 24:00, si rezultat i monitorimit me radar në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan, konkretisht në Bërzhitë, u konstatuan 11 raste të shpejtësisë tej normave të lejuara që varionin deri ne 159 km/h, ku drejtuesve të automjeteve u është pezulluar Leja e Drejtimit.

Gjithashtu, u konstatuan dhe 19 raste me shpejtësi nga 115 km/h deri në 127 km/h, ku drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan me masë administrative 6.000 deri në 12.000 lekë të rinj secili.

Nga monitorimi me alkooltestues në të gjitha rrugët e Tiranës, janë evidentuar dhe arrestuar në kushtetet e flagrancës 4 drejtues mjetesh në gjendje të dehur deri në masën 1.23 mg/l dhe 2 që drejtonin mjetin pa leje drejtimi.

Gjithashtu janë pezulluar 12 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 16 masa administrative me vlerë nga nga 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor, mos neglizhoni duke cënuar e vrarë jetën në rrugë.

Të gjitha rrugët nacionale dhe urbane në të gjithë vendin janë të monitoruara me patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore duke përdorur radarë, dragera, dronë, makina të paloguara, kamera e aparatë fotografikë.