Wednesday , September 22 2021

Tjetër emër i ri në qeverinë “Rama 3”/ Kush është Bora Muzhaqi, vajza ekselente nga Elbasani

Gjatë mbledhjes së sotme të Asamblesë së PS, kryeministri Edi Rama ka bërë publik edhe emrat e ministrave të rinj, të kabinetit qeverisës “Rama 3”.  Krahas disa prej emrave të rikonfirmuar në detyrë, bien në sy edhe disa emra të rinj, që do ti bashkohen ekipit qeverisës. Edi Rama ka bërë të ditur se pjesë e kabinetit qeverisës “Rama 3”, do të jetë edhe Bora Muzhaqi.

Bora Muzhaqi, është nga Elbasani, e diplomuar në Angli, e cila u bë pjesë e skuadrës së PS për zgjedhjet e 25 prillit, do të mbajë detyrën e ministres për Rininë dhe Fëmijët.

Bora Muzhaqi ka studiuar për Ekonomi dhe Biznes Ndërkombëtar dhe ka punuar nëpër kompani konsulence taksash në Shqipëri. Ajo është kthyer në Shqipëri që në vitin 2013 nga Anglia, ku ka studiuar për gjashtë vite.

Bora Muzhaqi-CV

Bora Muzhaqi ka lindur më 11 mars 1990 në Elbasan.

Ajo përfundoi gjimnazin, universitetin dhe studimet në nivel Master në në Mbretërinë e Bashkuar. Znj. Muzhaqi u diplomua në degën e Ekonomisë në London School of Economics and Political Science, në Londër, e më pas vijoi studimet në nivelin Master, gjithashtu në Londër, pranë HULT International Business School, në fushën e Biznesit Ndërkombëtar.

Nga dhjetori 2013 deri më Janar 2017 punoi si konsulente dhe konsulente e lartë pranë degës shqiptare të kompanisë ndërkombëtare PwC, pozicion në të cilin punoi edhe për zyrat ndërkombëtare të kompanisë. Performanca e lartë në punën e saj i mundësoi edhe një periudhë transferimi në zyrën e Varshavës së PwC, kohë gjatë së cilës rriti edhe më tej eksperiencën dhe njohuritë e saj.

Znj. Muzhaqi mban titullin ACCA, pasi kaloi me sukses shkallët e kualifikimit për të fituar të drejtën e Auditueses Ligjore në Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht ajo është Audituese Ligjore e çertifikuar edhe në Republikën e Shqipërisë.

Prej Janarit 2017, Znj. Muzhaqi u rekrutua nga një tjetër kompani ndërkombëtare me zyra në Shqipëri, Ernst & Young. Gjatë rreth dy viteve ajo drejtoi një ekip konsulentësh për ndjekjen e një sërë projektesh.

Pas eksperincës në Ernst & Young, Znj. Muzhaqi u punësua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim me një kontratë konsulence, ku punoi nga janari 2019 deri deri në mars 2021 pranë Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në rolin e këshilltares. Roli i saj në kabinet kishte për qëllim mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në identifikimin dhe zgjidhjen e problematikave të biznesit në Shqipëri dhe përmirësimin e klimës së tij. Gjatë kësaj periudhe, Bora u angazhua dhe drejtoi procesin e hartimit të projektligjit për mbështetjen dhe zhvillimin e nisjes së sipërmarrjeve të reja novatore (innovative Startup).

Bora Muzhaqi është zotëruese e shkëlqyer e Anglishtes, Gjermanishtes dhe Italishtes, si dhe ka njohuri të mira të Turqishtes./CNA.al