Tuesday , September 21 2021

Vendi ynë përfshihet nga shira dhe rrufe të dielën, zonat problematike dhe rreziku që vjen

Krahas muajit, Shqipëria ka hyrë tashmë në vjeshtë edhe sa i përket temperaturave, të cilat kanë rënë dhe parashikohet të bien edhe më gjatë ditëve në vijim. Siç parashikon edhe Meteoalb, fundjava pritet të jetë e freskët, ndërsa priten reshje të konsiderueshme në pjesën lindore dhe jug-lindore të vendit. Madje, në këto zona parashikohet të ketë edhe shkarkesa të shumta elektrike duke u kthyer në një rrezik të madh për fermerët apo barinjtë e deleve që qendrojnë kryesisht jashtë.

“Pararashikohet që edhe fundjava të ketë të pranishme shumë më tepër vranësira në territor. Më të dukshme do jenë ditën e dielë ku pritet të ketë edhe reshje. Reshjet do të jenë të fokusuara përgjatë kufirit lindor, por nuk përjashtohen edhe në zonat qendrore, kryesisht Elbasan, Librazhd apo edhe në Tiranë priten momente të shkurtra me shi”, tha më herët Lajda Porja për Abcnews.al.

Reshjet parashikohet të jenë më të dendura kryesisht në zonën e Korçës dhe Ersekës, ku ka rrezik që përrenjtë të dalin nga shtrati. Shirat e dendur do të paraqiten për shkak të masave ajrore që pritet të vijnë nga gadishull Apenin gjatë pasdites së sotme, ditës së nesërme dhe kulmi pritet të jetë gjatë të dielës.