Tuesday , September 21 2021

Rrëqeth me rrëfimin 26-vjeçarja nga Afganistani që po rri në Shqipëri: U martova atje, kam lënë dashurinë dhe jetën time atje

“Emri im është Sana, jam 26 vjeç. Kam ardhur nga Kabuli.” Sana është një nga qindra vajzat afgane që u detyruan të largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar regjimit taleban. Ajo nuk dëshiron që mbiemri i saj dhe i bashkëshortit, Abdul Wasey, të bëhen publik, pasi kanë lënë pas familje të cilëve u rre zikohet jeta. Në Kabul, puna e saj ishte të menaxhonte rrjetet sociale dhe të prodhonte emisione për një rrjet të madh televiziv.

“Punonim me një staf produksioni, dhe prodhonim emisione që evidentonin problemet e grave dhe vajzave, të fëmijëve dhe çështje të tjera që nuk marrin shumë vëmendje në vendin tonë, si për shembull shëndeti mendor, të miturit në tregun e punës dhe si po punojnë gratë e shoqërisë afgane.”

Sytë i përloten kur kujton ndjesinë që i shkaktoi lajmi që talebanët po vinin në Kabul.“Në momentin që morëm vesh se talebanët po vinin në Kabul… nuk mund ta përshkruaj me fjalë si u ndjeva, dhe e di që të gjitha gratë dhe vajzat atje ndiheshin njësoj si unë. Lloji i terrorit që gratë kanë në zemrat e tyre për shkak të talebanëve është… nuk di as ta shpjegoj.”

Dita kur iu desh të linte vendin e saj në mes të shp ërthimeve, armëve dhe të qarave ishte më lehtësuesja por njëkohësisht edhe më e tmerrshmja. Lehtësuese sepse ajo vetë nuk do ta përjetonte terrorin e talebanëve, dhe e tmerrshme sepse nëna dhe motrat e saj nuk do ta kishin këtë fat, as gratë dhe fëmijët e tjerë për të cilët ajo punonte me aq pasion.

“Në datën 26 Gusht na telefonoi xhaxhai. Ai tha që duhej se s’bën të gjenim në vend në një autobus që të largoheshim nga vendi. Morëm çfarë mundëm dhe u nisëm menjëherë. Ndërsa po i afroheshim aeroportit, të shtënat e armëve dhe ulërimat e njerëzve bëheshin akoma më shurdhuese. Terminali kryesor i aeroportit ishte komplet i rrethuar nga talebanët. Të gjithë kishin armë në duar dhe gishtin tregues të këmbëza, gati për të shtënë. I ramë rreth e qark aeroportit dhe u vendosëm pas radhës së autobusëve. Dëgjoheshin vetëm shpërthime dhe zëra fëmijësh. Nuk kishim asgjë për të ngrënë. Talebanët nuk po lejonin askënd brenda në aeroport. Të gjithë po mendonin çdo të ndodhë tani? Të nesërmen morëm një telefonatë dhe na thanë të shkojmë në terminalin e veriut sepse kishim emrat në listë dhe do na linin të futeshim. Më kujtohet që edhe ajri nuk ishte i pastër, por kishte një ngjyrë të verdhë për shkak të gazrave lotsjellës”.

Sana dhe Abdul Wasey, të martuar prej 3 vitesh sapo kishin blerë një shtëpi dhe po planifikonin të shtonin familjen e tyre. Të dy ishin të dashuruar pas punëve që bënin dhe po jetonin jetën e ëndrrave, tashmë të lënë pas.