Wednesday , October 20 2021

Elbasani qarku me numrin më të lartë të pacientëve me Covid, këta janë dy faktorët kryesorë sipas ekspertëve

5% të infektuarve me koronavirus në Elbasan janë në gjendje shëndetësore të rwnduar e për pasojë janë të shtruar në spitalet Covid 1 dhe 3. Bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë shihet se edhe pse Tirana ka numrin më të lartë të të infektuarve aktivë me rreth 42% të totalit, Elbasani ka përqindjen më të lartë të rasteve që përfundojnë në spital.

Shifrat shqetësuese të Elbasanit ambjentalistët e lidhin me ndotjen e ambientit të shkaktuar nga industria e rëndë dhe uljen e imunitetit të popullatës. Ambjentalisti Ahmet Mehmeti i bën thirrje instancave shtetërore të marrin masa për nivelin e lartë të ndotjes.

“Mjedisi i ndotur është shkaktari i shumë sëmundjeve të mushkërive një nga këto është edhe Covid 19. Rasti konkret që Elbasani ka shifra më të larta të sëmundshëmrisë, pra mjedisi e ka dhënë pasojat duke dobësuar imunitetin. Këta njerëz që janë të prekur janë treguesi më i mirë të ndotjes së ambientit në Elbasan. Ky është treguesi më i qartë si tregon Covidi në sëmundjen e mushkërive. Industria dhe ndotja e ajrit ka lënë gjurmë në shëndetin e njerëzve, duke e bërë më të prekshëm bën thirrje instancave shtetërore të marrin masa për nivelin e lartë të ndotjes”, tha Mehmeti.

Specialistët e Shëndetit Pubik rastet e rënda në Elbasan me Covid i lidhin me nivelin e ulet të vaksinimit, pasi qytetarët kanë preferenca për tu vaksinuar me Pfizer. Sipas epidemiologes Erleta Hila vihet re se rastet e rënda nuk kanë marrë asnjë nga dozat e vaksinës anti-covid.

“Kemi persona që janë infektuar për herë të dytë por janë më të rrallë. Personat që nuk janë vaksinuar kanë ecuri klinike më të rënduar drejt fataliteteve. Shikoj preferenca në referim në aplikim, pfizer kërkohet nga të gjithë. I bëj thirrje të gjithë që të drejtohen dhe të vaksinohen për shkak të rritjeve të rasteve”, u shpreh Erleta Hila.

Pas Elbasanit rastet e rënda të infektuar me covid i takojnë Korçës me 4,2% të të infektuarve aktiv të shtruar në spital. Më pas është Gjirokastra me 3,4% te rasteve aktive në spital. Mes 12 qarqeve, Tirana renditet e 10 me vetëm 1,2% të rasteve aktive në spital. E ndërsa Dibra mbetet qarku i vetëm që prej disa muajsh nuk ka patur asnjë prej rasteve aktive me Covid të shtruar në spital./Faxnews