Wednesday , October 20 2021

Lajmi i fundit/ Ja se si do të zhvillohet mësimi në shkolla, pandemia pritet të rëndohet në vendin tonë

Qeveria shqiptare po pranon në heshtje se pandemia pritet të rëndohet në vendin tonë dhe vala që ka nisur prej disa javësh mund të bëhet edhe më shqetësuese ndaj ka vendosur që sërish mësimi të jetë me orar të reduktuar dhe disa grupe gjë që rikthen mësimin me turne.

Mësohet nga ministria e Arsimit se ministrja Evis Kushi ka njoftuar drejtuesit e të gjitha shkollave publike parauniversitare se mësimi do të zhvillohet me turne duke nisur nga data 27 shtator.

“Në respekt rigoroz të ruajtjes së distancës, në shkollat apo klasat ku është e nevojshme, do të aplikohet përsëri mësimi me turne, ndërkohë që vazhdon puna intensive për të nisur sa më mbarë vitin shkollor dhe që çdo gjë të jetë gati më 27 shtator”, ka njoftuar sot zonja Kushi.

Ajo ka zhvilluar takim virtual me drejtuesit e shkollave duke u kërkuar që të respektojnë rigorozisht protokollet sipas ‘Udhëzuesit mbi masat ndaj COVID-19 në strukturat arsimore parauniversitare’, të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”- shkruan ministrja.

Gjatë gjithë vitit që kaloi mësimi u bë ose online ose pjesërisht në shkolla, edhe atëherë me orar të reduktuar.

Por çfarë do të ndodhë nga e hëna e ardhshme? Mësohet se në lojë është skenari 3, i kombinuar, mes mësimit online dhe në klasa. Gjithsesi mësimi do të nisë në klasa dhe në varësi të situatës do të shihet zbatimi i këtij skenari.

Mësimi do të jetë i reduktuar. Jo më shumë se katër orë 30 minutëshe në ditë dhe ato ça ndërprerje mes orëve, 5 minutëshet dhe as pushimin e gjatë 25 minutësh.

Mësimi do të jetë me grupe që në klasë të mos ketë më shumë se 10 deri 15 nxënës ose një e treta e numrit mesatar të nxënësve që ka për klasë. Kështu nëse një klasë ka 45 nxënës, krijohen 3 grupe me nga 15 nxënës ose një nxënës për bango.

Grupi i parë nis në orën 08.00. Për 30 minuta klasa duhet pastruar e desinfektuar dhe në 10.30 futet grupi tjetër e kështu me radhë. Nxënësit në grupe ndahen sipas germës së parë të emrit. Fjala vjen nxënësit që u nis emri me A janë në grupin e parë.

Gjithë këto rregulla dhe të tjera që noa.al jua sjell të detajuara më poshtë, po vlejnë vetëm për nxënësit në shkollat shtetërore sepse në ato privatet nuk ka të tilla kufizime. Edhe pse disa pranojnë se u kanë mbërritur rregulloret nga ministria e Shëndetësisë dhe ajo Arsimit, ato nuk gjejnë zbatim te privatët ashtu sikurse ndodhi edhe vitin e kaluar shkollor në më të shumtën e tyre.

Ndërsa në shtet fëmijët do të jenë 2 orë në ditë në mësim, në privat ata qëndrojnë deri në 10 orë.