Wednesday , October 20 2021

Luana Vjollca konfirmon zërat: Nga ky sezon nuk gjendem më në logon e Top Channel. Ja ku do më shihni tani

Prej kohësh përfiltet se Luana Vjollca nuk do të jetë më në Top Channel. Lajmet nisën të qarkullonin kur u konfirmua se drejtuesja e Big Brother VIP do të jetë Arbana Osmani dhe jo Luana, e cila ishte një nga emrat që lakohej si moderatore e mundshme. Po ashtu, fakti që reklama e “Shiko kush Luan” nuk kishte filluar të jepej ashtu si çdo fillim sezoni, i nxiti edhe më shumë lajmet për largimin e Luanës nga televizioni ku ka punuar për 15 vjet.

Më në fund, ka qenë vetë moderatorja e cila ka konfirmuar largimin.

“Ndiej për detyrë të ndaj me ju publiku im, ju që keni qenë pjesë e rrugëtimit tim televiziv, […] duke marrë këtë konfirmim kaq të madh, që ju kam në krahë në çdo hap, më ka lehtësuar peshën e vendimeve ndoshta edhe pa dëshirën e plotë, por për shkak të rrethanave dhe arsyeve madhore, për të cilat nuk do të doja të flisja, ashtu siç kam zgjedhur përherë.

Nga ky sezon nuk gjendem më në logon e Top Channel (i cili do të mbetet përherë shtëpia ime, ku u rrita dhe u zhvillova për 15 vite). Prandaj, si rrjedhojë, këtë sezon të shtunën mbrëma nuk do ta ndajmë bashkë duke luajtur, qeshur e argëtuar me ‘Shiko kush Luan’.

Tani prioriteti im është një projekt personal, i cili më shumë se gjithçka tjetër është zëri im i brendshëm, i cili dua fort të shërbejë edhe si zëri i secilit prej jush, për të tejkaluar çdo sfidë të jetës. #Thuaje”, -ka shkruar Luana.

Ajo shtoi se paralelisht me këtë projekt është duke punuar për të qenë në televizion me programe argëtuese, çdo të shtunë në mbrëmje, siç është traditë. Megjithatë, nuk ka zbuluar asnjë detaj tjetër se kur apo ku do ta shohim.