Wednesday , December 1 2021

Pavarësisht ndotjes, popullsia e Elbasanit arrin Europën me jetëgjatësi/ Ja sa është mosha mesatare

Popullsia e qendrës së vendit (Tiranë-Elbasan) arriti mesataren europiane për jetëgjatësinë më 2019. Sipas të dhënave të krahasueshme të Eurostat për rajonet e Europës, popullsia e Rajonit të Qendrës së vendit jetoi në vitin 2019 mesatarisht 81-82 vite (shih hartën bashkëngjitur). Kjo jetëgjatësi është e krahasueshme me shumicën e rajoneve të BE.

Gjithashtu, popullsia e Rajonit të Qendrës së Shqipërisë u rendit si më jetëgjata edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku siç shihet në hartë (ngjyra drejt blusë së theksuar tregon jetëgjatësi më të ulët).

Sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT, jetëgjatësia në Shqipëri ishte 75.5 vjeç për meshkujt dhe 79,6 vjeç për femrat duke shënuar ulje në vitin 2020, e ndikuar nga rritja e numrit të vdekjeve prej efekteve të pandemisë Covid-19.

Advertisement

Femrat shqiptare të lindura në vitin 2020 pritet të jetojnë 4,4 vjet më shumë sesa meshkujt shqiptarë të lindur në të njëjtin vit.

Edhe pse mungon mundësia për të pasur një jetë të shëndetshme si në vitet 1960, ku ndotja dhe mungesa e sigurisë ushqimore nuk kanë qenë në këtë masë se sa sot, shqiptarët janë bërë më jetëgjatë të paktën mbi 16 vite deri në vitin 2019.

Edhe pse disa sëmundje me natyrë kancerogjene janë shtuar, për disa të tjera duket se, mjekësia ka përparuar duke e rritur jetëgjatësinë në vend në një gjysmë shekulli me 16 vite.

Sipas Eurostat jetëgjatësia në BE arriti në 81.1 vjet në 2019, por në 93 rajone jetëgjatësia ishte nën 81.1 vite, ndërsa 147 Rajone kishin jetëgjatësi 81.1 vjet ose më shumë.

Gjatë dy shekujve të fundit, jetëgjatësia në BE u rrit relativisht me ritëm të qëndrueshëm (me disa periudha të jashtëzakonshme, të tilla si në periudhat e luftës). Sipas Eurostat, rritja e jetëgjatësisë i atribuohet kryesisht përparimeve në kujdesin mjekësor, ndryshimet në kushtet e jetesës, në kushtet/profesionet e punës, si dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës.

Përgjithësisht, popullsia që jeton më gjatë në Europë është e përqendruar në rajonin Mesdheut. Ngjyra e fortë portokalli e hartës së mëposhtme tregon se, Spanja, Italia, dhe Greqia kanë shumicën e rajoneve ku popullsia jeton më shumë se, 83.5 vite.

Në BE, Bullgaria regjistroi nivelin më të ulët të jetëgjatësisë, në 73.6 vjet.

Gjatë periudhës 2017-2019, jetëgjatësia në BE në lindje ishte 83.8 vjet për gratë dhe 78.3 vjet për burrat. Gjatë këtë periudhë, rajoni “Comunidad” në kryeqytetin spanjoll Madrid kishte nivelin më të lartë të jetëgjatësisë në lindja si për gratë (mesatarisht 87.9 vjet) dhe për burrat (82.6 vjet). Jetëgjatësia më e lartë për gratë është në Spanjë, ndërsa jetëgjatësia më e lartë për burrat ishte kryesisht regjistruar në Italinë qendrore dhe veriore.

Hendeku gjinor i BE-së për jetëgjatësinë në lindje ishte 5.5 vjet në favor të grave gjatë 2017-2019. Në Shqipëri kjo diferencë ishte rreth 4 vite./ Monitor