Wednesday , December 1 2021

Ndërtimi i aksit Elbasan-Qukës dhe bajpasit të Beratit, miratohet marrëveshja

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi ndryshimet në marrëveshjen me Italinë për zbatimin e programit për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe hartimit në nivel përfundimtar dhe studimin e ndikimit mjedisor në infrastrukturë.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkeleda Muça u shpreh programi synon të kontribuojë për përmirësimin dhe forcimin e planifikimit të rrjetit kryesor rrugor shqiptar gjatë akseve të korridorit VIII dhe forcimin e potencialit të zhvillimit social – ekonomik të Shqipërisë dhe të vendeve fqinje, me qëllim realizimin e një rrjeti rrugor efikas kombëtar që të favorizojë shkëmbimet e udhëtarëve dhe të mallrave me vendet kufitare dhe me pjesën tjetër të Evropës, si edhe në brendësi të Shqipërisë.

Advertisement

“Nëpërmjet zbatimit të këtij programi do të bëhet e mundur që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të ketë instrumente projektuese, menjëherë të tenderueshme, për fuqizimin e qarkullimit përgjatë drejtimeve veri–jug dhe lindje–perëndim, për realizimin e rrugës Elbasan- Qukës dhe të bajpasit të Beratit. Marrja e këtyre projekteve në shkallë “përfundimtare”, pra të tenderueshme, do të krijojë mundësinë për një ulje të ndjeshme të afateve për realizimin e këtyre veprave infrastrukturore”, tha ajo.

Më tej, zv/ministrja Muçaj u shpreh se ndryshimet që propozohen diktohen nga ndryshimet që kanë ndodhur si pasojë e çeljes së korridoreve të reja evropiane dhe të përcaktimit të korridorit Adriatiko-Jonian si zgjatim indikativ i korridorit mesdhetar në Ballkanin Perëndimor.

Si rezultat i këtyre ndryshimeve, tashmë, by-passi i Elbasanit dhe segmenti Kashar-Vaqarr-Rrogozinë, të cilat ishin pjesë e projektit sipas marrëveshjes ekzistuese, do të realizohen në kuadër të projektit Adriatiko-Jonian, ndërsa në kuadër të financimit, sipas kësaj marrëveshjeje do të realizohet ndërtimi i segmenteve Elbasan-Qukës dhe by-pass-i i Beratit.

Përzgjedhja e këtyre dy segmenteve është bërë në kuadër të prioriteteve që ka qeveria për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit në vend.

Ndryshimi i segmenteve të cilat do të projektohen dhe për të cilat do të përgatiten studimet e fisibilitetit, ka çuar dhe në ndryshimin e kushteve financiare dhe të metodave të lëvrimit të kredisë. Edhe pse nuk ka ndryshim të vlerës totale të kredisë, e cila mbetet përsëri 2.100.000 euro.