Balla vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, takon Princin e Kurorës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte i ftuar gjatë ditës së sotme në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe Abu Dhabi, ku u takua me LT Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan, Princ i Kurorës së Abu Dhabit, të cilin e falenderoi për solidaritetin që ai tregoi për Shqipërinë menjëherë pas fatkeqësisë së shkaktuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Gjatë takimit, numri dy i PS, Taulant Balla e informoi atë për situatën aktuale dhe vlerësimin paraprak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit.
“Shqipëria do t’i ishte mirënjohëse Emirateve të Bashkura edhe për një mbështetje financiare për rindërtimin e mijëra banesave si dhe të shkollave dhe qendrave shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti”, theksoi Balla.

“Jemi vëllezër” ishte përgjigjia e Princit të Kurorës së Abu Dhabit LH Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan dhe se Emiratet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë edhe për rindërtimin. Populli i Emirateve të Bashkuara i shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave dhe i qëndron pranë popullit shqiptar në këto momente të vështira.

Gjatë qendrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe Balla zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e sapo zgjedhur të Parlamentit të Emirateve të Bashkuara Sh.T.Z. Saqr bin Ghubash Saeed Ghubash.

Tema kryesore e bisedës gjatë takkmit ishte nevoja e mbështetjes së Shqipërisë në fazën e rindërtimit.

“Rikonfirmuam nivelin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve tona, si dhe mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare ku bejmë pjesë.

Kuadri i marrëveshjeve bilaterale të firmosura mes dy vendeve dhe të ratifikuara nga dy parlamentet është i plotësuar, i cili ndikon drejtpërdrejtë intensifikimin e investimeve të ndërsjellta dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare. Është shumë e rëndësishme që EBA të heqin vizat për qëllim turizmi për qyetarët shqiptarë si dhe vendosja e një linje direkte fluturimi me Tiranën.

Aktualisht kemi në zbatim disa marrëveshje bashkëpunimi me ADFD (Abu Dhabi Fund for Development) sikurse është edhe projekti i Buleverdit të Tiranës” deklaroi Balla.

Gjatë takimeve me autoritetet e larta të Emirateve të Bashkura ishte i pranishëm edhe Presidenti i Këshillit Global për Paqen dhe Tolerancën Sh.T.Z. Ahmed Bin Mohamed Al Jarwan, i cili do të vizitojë në javët në vijim Shqipërinë, pikërisht për të parë nga afër nevojat e Shqipërisë në procesin e rindërtimit.