Nga qesharake, në poshtëruese dhe makabre: Masat e shteteve për koronavirusin

Ndërsa masat kontrolluese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë zgjeruar globalisht, miliona njerëz përballen me ndëshkime ekstreme, që do të ishin të pazakonta edhe për një shtet totalitar.

Të martën, policia në Kenia shprehu “ngushëllimet e sinqerta” pasi një djalosh 13-vjeçar u qëllua dhe ndërroi jetë në ballkonin e tij në Nairobi, teksa policia po lëvizte nëpër lagje duke u siguruar që po zbatohej shtetrrethimi. “Ata vijnë dhe na bërtasim dhe na rrahin si lopë; ne jemi qytetarë që respektojmë ligjin,” tha Huseyin Moyo, babai i Jasin, djali që u qëllua për vdekje.

Shqetësimet po rriten gjithnjë e më tepër për shkak se forcat e policisë po përdorin ndëshkime të tmerrshme dhe poshtëruese për të siguruar vetë-izolimin e grupeve të varfëra, të cilat janë edhe më të prekura nga Covid-19.

Javën e kaluar, punëtorë emigranë në Indi u spërkatën me një kimikat si një përpjekje për të dezinfektuar trupat e tyre. Punëtorët, të cilët sapo ishin kthyer nga Delhi, u spërkatën me një agjent zbardhues, hipoklorit natriumi, i cili mund të shkaktojë dëmtime në lëkurë, sy dhe mushkëri, bëri me dije Indian Express.

Diku tjetër, në Punjab, njerëzit e akuzuar për shkelje të karantinës u detyruan të brohoritnin rrugëve: “Ne jemi armiq të shoqërisë. Ne nuk mund të rrimë në shtëpi.”

Taktika të tilla poshtëruese janë përdorur edhe nga policia e Paraguait, ku njerëzit që shkelën karantinën u detyruan të bënin star jumps (lëvizje aerobike) dhe u kërcënuan me armë. Të tjerëve iu kërkua që të përsërisnin “nuk do të dal më kurrë nga shtëpia”, teksa mbaheshin shtrirë në dysheme.

Ekspertë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut theksojnë se veprime të tilla janë të panevojshme dhe diskriminuese.

Ekziston gjithashtu frika se shumë qeveri po përdorin rastin e pandemisë për të rritur fuqinë e tyre. Të hënën, parlamenti i Hungarisë miratoi një grup masash që përfshin edhe burg për përhapjen e informacioneve të rreme dhe lejimin e kryeministrit të sundojë me dekretin e gjendjes së jashtëzakonshme, që nuk ka një afat kohor të qartë.

Në Filipine dhe Tajlandë, vende ku u shpall gjendja e jashtëzakonshme, qeveritë kanë të gjithë pushtetin në dorë dhe kjo përfshin edhe goditjen e informacioneve të rreme – një term i paqartë, për të cilin aktivistët e shoqërisë civile thonë se do të keqpërdoret.

Burimi: The Guardian