Prononcimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla pas miratimit të Rezolutës së Parlamentit Europian

Sot, një prej tre institucioneve bazë të vendimmarrjes në Bashkimin Europian ka dhënë një mesazh të fortë lidhur me nevojën për të filluar tani bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Janë vlerësuar arritjet që të dy vendet kanë bërë.
Maqedonia ka një arritje shumë të madhe për mbylljen e marrëveshjes së Prespës, e cila mundësoi zgjidhjen e një historie të gjatë të mosmarrëveshjes me fqinjin e saj Greqinë.

Ndërkohë, siç theksohet në rezolutën e PE-së, Shqipëria ka bërë reforma të rëndësishme e ndër to spikat Reforma në Drejtësi, procesi i rëndësishëm i vettingut, i cili po vijon të pastrojë shoqërinë shqiptare nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar.

Po ashtu, Reforma në Drejtësi ka ngritur baza të shëndosha në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë si Gjykata Kushtetuese me anëtarët e rinj të saj, Gjykata e Lartë dhe në një kohë shumë të shkurtër do të ndrihet Prokuroria Speciale Antikorrupsion.

Për eurodeputetët, mosmarrja e një vendimi në Bruksel, në samitin e BE-së ishte një gabim strategjik, në shumë kontekste.
Së pari, padyshim që Ballkani Perëndimor e ka destinacionin e vet, të vetëm, anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Sikurse u theksua edhe në dikutime, apo në rezolutë, bëhet fjalë për një rrezik stretegjik për shkak të boshllëkut që mund të krijojë Bashkimi Europian në këtë pjesë të Europës. Këtë boshllëk janë të gatshëm ta shfrytëzojnë aktorë të tjerë dhe ndër to duhet të kemi parasysh tentativat e përhershme të Rusisë për të vijuar të ushtrojë ndikim në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe të aktorëve të tjerë siç mund të jetë Kina.

Në këtë kontekst, eurodeputetët, me të drejtë e quajtën, mosmarrjen e vendimit, një gabim strategjik.
Në rezolutë, i kërkohet Këshillit, Komisionit Europian të rrisin prezencën e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe është po kaq e rëndësishme dhe të theksojmë që roli i Këshillit apo i Komisionit edhe në atë që një pjesë e vendeve anëtare (3 prej tyre) e konsideruan si një prej arsyeve të shtyrjes së bisedimeve për anëtarësim.

Kjo ka të bëjë me nevojën që ka për të reformuar procesin e anëtarësimeve të reja në Bashkimin Europian. Por theksohet se, kjo nuk duhet të prekë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të cilat e kanë plotësuar detyrën e tyre të shtëpisë për fazën në të cilën jemi.

Është shumë e rëndësishme të nënvizojmë numrin e madh të eurodeputetëve që votuan sot PRO kësaj rezolute. Ndër 578 deputetë prezentë në sallë, më shumë se 412 prej tyre votuan PRO.
Pra më shumë se 3/4 e eurodeputetëve i dhanë mbështetje këtij mesazhi të rëndësishëm. Është një mesazh i fortë që sikurse theksohet edhe në rezolutë i drejtohet Këshillit të Europës që në mbledhjen më të parë të rimarrë në shqyrtim këtë çështje dhe të konkludojë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sikurse thotë rezoluta: “Koha është tani për të vlerësuar gjithçka kanë bërë të dy vendet.

Padyshim procesi i negociimit të marrëveshjes nuk është anëtarësim, por është instrumenti i vetëm që vendet, që aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian, të përmirësojnë procesin e tyre të qeverisjes, të reformave dhe të nxisin rolin aktiv të tyre në rajonin e Ballkanit.
Këtu është momenti të nënvizojmë faktin, e bërë publik edhe nga Komisioni edhe nga diskutimet në Parlamentin Europian që, ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është i vetmi vend që ka 100%, në të njëjtën linjë, politikën e saj të jashtme me atë të Bashmimit Europian.

Pra, janë të shumtë argumentet që kanë nxitur sot eurodeputetët, në një shumicë të vlerësueshme, për ta mbështetur procesin historik të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në familjen e madhe europiane, aty ku jemi me mbështetjen e më shumë se 94% të qytetarëve shqiptarë.

Jemi i vetmi vend, ndoshta, ku kjo mbështetje është në këto nivele, sepse aspirata e shqiptarëve dhe orientimi i tyre është përkatësia jonë në familjen europiane.