Rreziku që na vjen nga nënvlerësimi i supremacistëve të bardhë

Nga: Dr. Arben Ramkaj.

Masakrat e fundit në El Paso dhe Dejton të Shteteve të Bashkuara brenda pak orësh nga njëra-tjetra, ku humbën jetën 30 njerëz, dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, risjell me forcë  në vëmendjen e opinionit publik në mbarë botën, rigjallërimin tejet të rrezikshëm të ideologjisë së supremacistëve të bardhë, dhe ekspozimin e saj në formën e akteve të tmerrshme terroriste, ku po humbasin jetën njerëz të pafajshëm.
Kjo ideologji e vjetër, që e ka përshkruar tej për tej historinë e dhimbshme të kolonializmit,  është tentuar që të mbahet nën kontroll dhe izolohet përmes avancimit të korpuseve ligjore që kanë zgjeruar të drejtat dhe liritë e njeriut, fillimisht në vendet me një traditë demokratike të konsoliduar, dhe më pas edhe tek vendet në zhvillim që janë quajtur shpesh me një lloj përbuzje “të botës së tretë”.

Fundi i segregacionit racor shekullor në SHBA, Afrikën e Jugut, dhe vende të tjera, është një arritje që nuk duhet mohuar. Por progresi, arritjet, i takojnë historisë. Kombet, shoqëritë, qeveritë, duhet të jenë gjithmonë syçeleta ndaj riaktivizimit të ideologjive të tilla virale. Mjerisht, kjo nuk ka ndodhur, dhe nuk po ndodh as tani.

Norvegjezi Anders Breivik, vrau në korrikun e vitit 2011 77 njerëz në Utoja dhe Oslo, për shkak se siç pretendonte “donte të parandalonte një pushtim mysliman” të vendit. Në “manifestin” e tij, ai bënte thirrje për një “kryqëzate të re” të kombeve të krishtera kundër myslimanëve. Dy ekipe psikiatërish, e ekzaminuan Breivik me skizofreni paranojake.

Por në një vlerësim të dytë, u arrit në përfundimin se ai kishte çrregullime narcisiste të personalitetit, por ishte i ndërgjegjsshëm për krimin që po kryente. Në qershorin e vitit 2015, i riu amerikan i bardhë Dilan Ruf vrau 9 afro-amerikanë në kishën e tyre në Çarleston të Karolinës së Jugut. Ruf ishte një anëtar aktiv i forumeve online të lëvizjes së supremacistëve të bardhë, dhe deklaroi se ishte i shqetësuar për “kriminalitetin që prodhonin zezakët”. Në qershorin e vitit 2016, britanku Tomas Meir, një supremacist i bardhë i fiksuar pas nazistëve, qëlloi për vdekje me thikë në rrugë deputeten laburiste Xho Koks, për shkak të qëndrimeve të saj liberale ndaj emigrantëve.

Në janar 2017, 6 besimtarë u vranë gjatë lutjeve të mbrëmjes në një xhami në qytetin e Kebekut në Kanada. Autori tha në polici se u nxit për krimin nga deklarata e kryeministrit të vendit Xhastin Trudo se refugjatët janë të mirëpritur në Kanada, dhe se “diversiteti është force”.  Në qershor të atin viti, Makram Ali gjeti vdekjen dhe 12 të tjerë u plagosën, kur një furgon përplasi besimtarët myslimanë të mbledhur para një xhamie në Finsbëri Park në Britaninë e Madhe.

Vrasësi, Darren Osborn, bërtiti pas sulmit:”Unë dua të vras ​​të gjithë muslimanët!”. Nga hetimet rezultoi se Osborn ishte radikalizuar në internet, dhe ishte ndikuar shumë nga propaganda antimyslimane nga figura të njohura të së djathtës në Britani. Në 15 mars të këtij viti, Brendon Tarrant, hapi zjarr në dy xhami në qytetin e Kritçërç të Zelandës së Re, duke vrarë 51 besimtarë myslimanë dhe plagosur shumë të tjerë. Veç këtyre rasteve që i përmenda telegrafikisht, ka dhjetëra e qindra të tjera përgjatë viteve të fundit. Autoritetet në SHBA, e kanë pranuar se pas vitit 2001, terrorizmi i brendshëm, i motivuar nga ideologjia e supremacistëve të bardhë, ka shkaktuar shumë më tepër viktima në vend sesa sulmet terroriste të individëve ekstrëmistë islamikë.

Në Evropë, sulmet e përgjakshme të ISIS në Paris, Nisë, Barcelonë, Bruksel, apo Berlin nga viti 2015 e këtej, ekslipsuan përkohësisht ideologjitë të së djathtës ekstreme dhe rrezikshmërinë që ato paraqesin. Por muajt e fundit, agjencitë e sigurisë në Evropë, kanë ngritur alarmin mbi ”militarizimin” e të djathtës ekstreme në kontinent, që krahas gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve verbale, po përdor dhunën ndaj të huajve dhe vendasve që mbështeshin praninë e emigrantëve në vendin e tyre.

Supremacia e bardhë, bazohet në bindjen raciste, se njerëzit e bardhë janë superiorë ndaj njerëzve të racave të tjera, dhe për këtë arsye duhet të jenë dominues mbi ta. Në realitetin konkret, ajo është përkthyer si një kundërvënie mes komuniteteve të etnive dhe feve të ndryshme.

Për ta bërë më tërheqëse për të rinjtë, që janë më të prekshëm ndaj ideve raciste pseushkencore, propaganda e lëvizjes përdor të ashtuquajturit “manifeste politike”, ku evokon “heronjtë e krishterë”, dhe nevojën e ripërsëritjes së historisë, kur “raca e bardhë” dominonte pjesën tjetër të botës.

Këtë “lavdi” të humbur, vajtojnë herë pas here pas herë edhe shumë liderë të së djatthtës ekstreme në Evrope dhe SHBA. Ata nuk humbasin asnjëherë rastin që të ushqejnë ndarjen etnike, fetare dhe racore, urrejtjen ndaj “tjetrit”. Politikanë si Mateo Salvini në Itali, Marin Lë Pen në Francë apo Gert Vilders në Holandë, i fajësojnë vazhdimisht emigrantët, për të gjitha të zezat nga të cilat vuajnë vendet e tyre.

Dhe kur ndodh masakra e rradhës ndaj dhjetëra njerëzve të pafajshëm, ata zhduken nga ekranet dhe mediat sociale. Ose shpëlajnë gojën duke thënë se bëhet fjalë vetëm për të sëmurë mendorë. Ata nuk mbajnë asnjëherë përgjegjësi për polarizimin e thelle që i kanë sjellë shoqërisë, kombit të tyre.

Në kushtet e një polarizimi të tillë ekstrem, ndodhën edhe 2 sulmet e fundit terroriste nga supremaciastët e bardhë në SHBA. Ky polarizim, u ushqye edhe nga lapsusi i papredecentë i presidentit amerikan Donald Trump, që para mijëra mbështetësve në një tubim dhe në transmetim televiziv të drejtpërdrejtë, u kërkoi të ktheheshin “andej nga kanë ardhur” 4 grave kongresmene të Partisë Demokratike, 3 prej të cilave kanë lindur në fakt në SHBA, ndërsa e katërta ka gati 3 dekada në atë vend.

Në përpjekje për të justifikuar gjuhën e ashpër dhe dhunën, politikanët dhe ideologët e të djathtës ekstreme në Evropë, apo lëvizjes së supremacistëve të bardhë në SHBA, i bëjnë vazhdimisht jehonë

tezës tashmë të diskretizuar të sociologut të ndjerë amerikan Samuel Hantington të “përplasjes së qytetërimeve”, apo të “fundit të historisë” të politologut po amerikan Frensis Fukujama, dhe triumfit të plotë dhe përfundimtar të Perëndimit ndaj civilizinmeve të tjera.

Në fakt “ISIS i bardhë” (lëvizja supremaciste), po dëshmon nuk ka as më shumë dhe as më pak se sa objetivat e vetë ISIS origjinal:polarizimin e popujve, dhe ndarjen e tyre në bazë të feve, rracave dhe kombeve, dhe  nxitjen e përbashkët për t’i futur kombet në konflikt, për shkak të kulturrës dhe civilizimit që ato përfaqësojnë.

Në rast se njëri prej autorëve të masakrave të kësaj fundjave, do t’i ishte ndjekës i ideologjisë së islamit radikal, burimet e qeverisë amerikane dhe aleatëve të saj, do të mobilizoheshin pa asnjë vonesë.

Fuqia e tmerrshme e shtetit, do të binte shumë shpejt mbi terroristët dhe financuesit e tyre. Vendet e lutjeve, do të viheshin nën vëzhgim. Disa zyrtarë mund të shkonin deri aty, sa të bëjnë thirrje për një ndalim të plotë të hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.

Në rastin konkret, reagimi ndaj supremacistëve të bardhë, mbetet ende i ndrojtur. Madje autoritetet e larta aq që i përmendin, po flasin për të rinj me probleme psikike. Kjo mund të jetë e vërtetë, por jo në çdo rast.

Sëmundja reale nga e cila vuajnë kriminelë që ndërmarrin akte të tilla, quhet “supremacia e bardhë”.

Kjo po thuhet sot me zë të lartë nga ekspertët e sigurisë dhe mediat më prestigjioze në SHBA. Nëse vazhdohet të injorohet ky realitet i frikshëm, dhe bota mban si narrativë kryesore atë të “terrorizmit islamik”, “në pritje” të ringritjes së Al-Kaidës apo ISIS-it, atëherë sulmi terrorist i radhës i këtij lloji, do të jetë vetëm çështje kohe.

Duhet reaguar shpejt. Duhet vepruar shpejt. Nga qeveritë, shoqëria civile, kompanitë e teknologjisë. Pavarësisht sloganeve dhe stemave, lëvizjet ekstremiste terroriste kanë në thelb të njëjtin synim:ato synojnë terrorizojnë kombet, dhe sakrifikojnë jetë njerëzish të pafajshëm, në emër të ideologjive raciste apo të deformuara.

Nje koment

  1. Pingback: 3vacancies